Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

    Lexoni lajme te reja

    !nva7ionN
    !nva7ionN
    Super Moderator
    Super Moderator


    Numri i postimeve : 71
    Join date : 23/04/2009

    Lexoni lajme te reja Empty Lexoni lajme te reja

    Mesazh  !nva7ionN Wed Apr 29, 2009 12:50 pm

    Kriza ekonomike prek edhe burgjet

    Shkup, 27 prill - Vazhdojnë rekonstruimet e burgjeve aktuale dhe punimet ndërtimore për ndërtim të institucioneve të reja ndëshkuese-përmirësuese, por nuk është e qartë se a do të përfundohen të njëjtat brenda afatit të përcaktuar nga Ministria e Drejtësisë. Situata me objektet e reja ndëshkuese përmirësuese mund të hasë në komplikime për shkak të krizës ekonomike dhe masave qeveritare për tejkalimin e saj. Duke marrë parasysh se një nga masat për kapërcim të krizës është ndalimi i punësimeve në administratë, drejtpërdrejt pengohet punësimi i dhjetëra punonjësve nëpër institucionet ndëshkuese përmirësuese, që janë paraparë gjatë dy viteve të kaluara. Nëse merret parasysh se Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar përfundimin e punimeve të institucioneve të reja ndëshkuese-përmirësuese deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, lëshimi i tyre në përdorim mund të ballafaqohej me mungesën e kuadrove, për shkak se qeveria ka ndaluar punësimet e reja. Në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me këtë situatë nuk kanë mundur të japin përgjigje konkrete dhe kanë shpjeguar se do të respektohen vendimet e qeverisë.
    "Lidhur me punësimet që janë paraparë në institucionet ndëshkuese-përmirësuese, do të veprohet sipas vendimeve të Qeverisë. Ashtu siç do të vendos Qeveria, ashtu edhe do të veprohet", tha Mirjana Ilieva, zëdhënëse e Ministrisë së Drejtësisë.
    Ndërkaq, janë duke vazhduar reformat në sistemin penetenciar, me të cilat pritet të përmirësohet jetesa nëpër burgjet e vendit, por edhe të zgjidhet problemi me mbingarkesën e qelive të burgjeve. Kjo gjë është dashur të arrihet me rekonstruimin dhe zgjerimin e kapaciteteve aktuale të institucioneve ndëshkuese-përmirësuese, por edhe me ndërtimin e burgjeve të reja, për të cilat janë ndarë miliona euro. Gjatë dy viteve të fundit, nëpër burgjet e vendit janë punësuar 214 persona në dikastere të ndryshme, por theksi është vënë në ekipimin më të mirë me kuadro të sigurimit të burgjeve. Ndërkohë, vazhdon të jetë i ulët numri i kuadrove risocializuese dhe prandaj, nëpër burgjet e vendit nuk mund të arrihet niveli i duhur i risocializimit. Gjatë dy viteve të fundit, në sektorët risocializuese të burgjeve janë punësuar vetëm 15 persona. Gjithashtu, kritike nëpër burgjet e vendit mbetet situata me konsumimin e lëndëve narkotike, pasi nga viti në vit është duke u rritur numri i përdoruesve të drogave. Nëse në vitin 2006, vetëm në Idrizovë janë regjistruar 197 përdorues të lëndëve narkotike, në vitin 2007 numri është rritur në 209, ndërsa vjet ai ka shkuar në 387 persona që shërohen nga drogat me ndihmë të metadonit.






    Fshati ku është harruar Marrëveshja e Ohrit


    Dibër, 27 prill - Përgjatë Luginës së bukur të Lumit Radika ka fshatra të shumtë, po aq të bukura sa edhe malet dhe përrua të shumta. Fshatrat janë të ngjitura në rrëzat e maleve, shumica prej tyre në lartësi mbidetare në mbi 1 mijë metra. Këtu shtrihet edhe fshati Vërbjan, në shpatet e Malit Deshat, që i takon Komunës Mavrovë-Rostush. Vërbjani është fshati i vetëm që e ndan Rekën e Poshtme me atë të Epërmen. Ky fshat është me popullatë shqiptare, ndërsa numëron mbi 700 banorë. Në aksin rrugor Dibër-Mavrovë, pas kilometrit të 20-të, ndahet rruga për në fshatin Vërbjan. Plotë 6 kilometra duhet kaluar për të arritur në fshat, në një rrugë tejet të ngushtë. Banorët shqiptarë flasin një gjuhë të pastër shqipe, ashtu siç kanë folur edhe stërgjyshërit e tyre që këtu kanë jetuar këtu denbabaden. Fshati ka një vegjetacion shumë të bukur. Vërbjani ka mbi 120 shtëpi. Në qendër të fshatit ka dy xhami, një e ndërtuar para 100 vjetëve dhe tjetra e ndërtuar në vitin 1992.
    Bukuritë natyrore këtu, këto ditë janë shumë të mëdha, por dukshëm është se banorët ballafaqohen me probleme të shuma në sferën e infrastrukturës. Këtu, thonë ata, shteti e ka harruar këtë fshat dhe banorët e tij. Edhe përkundër kërkesave të shumta që ka bërë dhe bën Bashkësia lokale, këtu nuk janë ndërmarrë aktivitete as nga pushteti vendor as nga ai qendror.

    Çdo gjë është si para shumë dekadave
    Problemi i punësimit këtu është primar. Në shkollën fillore janë punësuar 8 banorë, në ndërmarrjet publike 3, kurse asnjë nuk punon në administratë shtetërore, lokale, polici dhe ushtri. Banorët thonë se këtu është harruar totalisht implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Bashkëbiseduesi ynë, kryetari i Bashkësisë Lokale, Munir Rashiti, thotë se i fshati është i revoltuar nga kjo situatë. "Në kemi bërë kërkesa tek pushtetarët qofshin ata qendror apo lokal, por këtu çdo gjë është si para shumë dekadave", thotë ai. Rashiti shton se probleme primare mbeten mospasja e ambulancës, ujësjellësi dhe rruga deri në fshat. "Një fshatar i sëmurë duhet të udhëtojë plot 40 kilometra për të marrë një injeksion e lere më vizita tjera. Nuk ka ekip shëndetësor të rregullt dhe të sëmurët kanë probleme të mëdha me shërimin e tyre. Në vitin 2002 u ndërtua objekti për ambulancë dhe funksionoi pak dhe në kohën e privatizimit u ndërpre", tregon Rashiti. Kërkesat nga bashkësia e lokale në Ministrinë e Shëndetësisë janë bërë, por nuk kemi asnjë përgjigje, thotë ai. Para 50 vitesh në Vërbjan ka pasur ambulantë dhe ka qenë e punësuar motër medicinale, ndërsa sot në shekullin e XXI nuk ka as një motër e lëre më, mjek që t'ju vije në ndihmë banorëve të këtij fshati. Gjithashtu nuk ka as ujë të pastër. Banorët përdorin ujë të ndotur. "Projekti është, por sot e kësaj dite pimë ujë të papastër, nuk ka ujësjellës. Në aspektin shëndetësor, shumë banorë e sidomos fëmijë, kanë probleme me sëmundje të ndryshme", thotë Rashiti. "Kërkesa e fundit është projekti në mini-bujqësi, që shpresojmë ndoshta nuk do të jemi të gënjyer si më parë", potencon ai.

    I harrur nga të "mëdhenjtë"
    Fshati ka shkollë fillore, që është duke punuar që nga viti 1947 dhe ka kapacitet për 100 nxënës. Ndëshkimet politike ndaj banorëve shqiptarë kanë qenë të vazhdueshme. Banorët thonë se harresa e shtetit ndaj këtij fshati ka një element ndëshkues ndaj popullatës që jeton në këtë fshat. Shkolla fillore në fshat deri në vitin 1982 është quajtur "Liria", fakt ky që mund të vërtetohet në kadastër, por emri i është ndryshuar. Për këtë kemi bërë shumë kërkesa, thonë arsimtarët dhe drejtoria e shkollës, dhe vazhdimisht do të bëjmë deri sa t'ia kthejmë shkollës emrin e mëparshëm. Ministria e Arsimit ka qenë donator i shumë pajisjeve kompjuterike, por habit fakti se në këtë fshat nuk ka shkelë këmbë e asnjë përfaqësuesi të saj. Rruga për në Vërbjan është ndërtuar në vitin 1979, me ceremoni, dhe nga atëherë më nuk ka ardhur asnjë nga të "mëdhenjtë" në fshat, thekson një plak 78 vjeçar. "Është për të theksuar se këtë fshat e ka harruar edhe opinioni. Plot 30 vjet në këtë nuk ka shkelë këmbë e gazetarëve", kujton Rashiti. Të jetosh në këtë fshat malor i cili është në territorin e Parkut nacional "Mavrovë" dhe të mos kesh dru të mjaftueshëm për ngrohje është çudi, ankohen banorët. Fshatarët hasin në probleme të shumta me furnizimin e drurit për ngrohje. Popullata këtu merret me bujqësi dhe blegtori, por shumica, sidomos e të rinjve është në kurbet. Një pjesë është e punësuar në firma private, në qytete të ndryshme të vendit. Viteve të pesëdhjeta edhe nga ky fshat një pjesë e madhe e popullatës u shpërngul për në Turqi.
    "Nëse tejkalohen problemet e infrastrukturës dhe të shërbimeve tjera, si dhe mundësohen punësime, atëherë mund të jetohet bukur në këtë fshat malor të Rekës. Duke marrë parasysh pozicionimin e fshatit ka një interesim të madh për gjuetinë e kafshëve", thotë mësuesi Rexhep Murati, i cili ka traditë familjare në gjueti.





    Në terren kundër Sidës

    Kumanovë, 27 prill - Disa ditë me radhë në qytetin e Kumanovës është duke u zhvilluar këshillimi për HIV testimin nëpër terren. Programi i këtij projekti ka për qëllim të lehtësojë qasjen për këshillim dhe testim vullnetarë të qytetarëve. Grupi prej të cilëve kërkohet të bëhet ky testim është kryesisht kategoria e atyre personave që kanë marrëdhënie seksuale mes të dy gjinive, shfrytëzues të lëndëve narkotike, të burgosur dhe persona tjerë të cilët nuk bëjnë pjesë në këto grupe, por që kanë nevojë për këshillë dhe testim sa i përket virusit HIV të Sidës.
    "Aktivitetet në terren janë duke u realizuar me një automjet të përshtatshëm pikërisht për aktivitetet e parashikuara. Dhënia e këshillave bëhet nga ana e këshilltarëve të akredituar nga organizata joqeveritare "Puls", të cilët janë të trajnuar në mënyrë profesionale për këto lloj testimesh të virusit HIV. Ndërkohë që testimi bëhet me ndihmën e personave profesionistë mjekësorë", thotë Natasha Millanova, koordinatore për këshillim në terren nga OJQ "Puls".
    Testimi për virusin HIV ofrohet për ata persona të cilët kanë arritur moshën e pjekurisë, respektivisht vitet të tetëmbëdhjeta, në të kundërtën për këtë gjë nevojitet pajtueshmëri nga prindërit. Të gjitha të dhënat dhe informata e marra nga testimi duke i përfshirë edhe rezultatet e HIV testit do të ruhen dhe nuk do të bëhen të ditura për të tjerët. Klientët identifikohen sipas shifrave, dhe me të njejtën edhe shënohet rezultati nga testimi. Projekti është duke u realizuar nga H.E.R.A-Asociacioni për edukim shëndetësorë dhe Enti për Mbrojtjen e Shëndetit.

      Ora është Wed May 01, 2024 11:52 pm