Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

    Shqiptarët janë mazohistë

    !nva7ionN
    !nva7ionN
    Super Moderator
    Super Moderator


    Numri i postimeve : 71
    Join date : 23/04/2009

    Shqiptarët janë mazohistë Empty Shqiptarët janë mazohistë

    Mesazh  !nva7ionN Mon Apr 27, 2009 5:08 pm

    Shqiptarët janë mazohiste


    Intervistoi Mentor BEQA
    Zoti Xhaferri, prej do kohe jeni distancuar nga politika dhe i jeni përkushtuar studimeve. Si mendoni se kontriboni më shumë për çështjen shqiptare, në pozicionin e parë apo në të tanishmin?
    Të qenit aktiv në politikë nënkupton mundësinë që realisht të ndikosh në proceset politike, të japësh kontribut konkret, të zgjidhësh realisht problemet shoqërore. Nga ana tjetër shkrimi, analiza e proceseve shoqërore krijon opinion për dukuritë e ndryshme shoqërore dhe në këtë mënyrë mund të ndikojë në mënyrë indirekte në vendimmarrjen politike. Pra, këto angazhime dallojnë sipas funksioneve. Mirëpo shpesh herë angazhimi indirekt krijon më shumë efekte konkrete se sa angazhimi i drejtpërdrejtë. Gjatë historisë ka ndodhur që individë të ndryshëm që s'kanë pasur funksione të drejtpërdrejta politike kanë ushtruar ndikim të madh në proceset politike. E kam fjalën për disidentët e ndryshëm të formatit të Saharovit, të Sollzhenicinit, të Havellit, të Sartrit etj. Natyrisht këta shembuj nuk mund të shërbejnë për ta shpjeguar rastin konkret, por janë në funksion të shpjegimit përgjithësues të angazhimit dhe rolit të individit në politikë. Mendoj se kontributi im praktik ka pasur më shumë peshë sesa ai publicistik. U angazhova në politikë në momentet që mund të karakterizohen si historike. E kam fjalën për zhvillimet në Kosovë, eksodi masiv, pastaj kryengritja në Maqedoni që paraprakisht shërbente si shkas për akuzë kundër mendësisë, kinse turbulluese të shqiptarëve, që krijojnë vend e pavend telashe në shoqëri dhe pastaj, përmes artikulimit politik, kryengritja mori karakterin e luftës së drejtë për arritje të barazisë në shoqëri. Me Marrëveshjen e Ohrit u arrit që faji nga cilësimi i shqiptarëve si element kriminogjen të bartet në Kushtetutën e Maqedonisë. Me ndryshimin e saj faji u hodh në konceptin e shtetit që nuk përputhet me realitetin. Ky ndryshim i pozicioneve nuk mund të arrihej pa qenë drejtpërdrejtë i kyçur në politikë. Angazhimi i drejtpërdrejtë në politikë ka përgjegjësi më të madhe, më konkrete që ushtron presion të madh mbi njeriun kështu që shumë shpejt shteret motivi për angazhim të mëtutjeshëm. Natyrisht kjo vlen për ata që kanë përgjegjësi për veprimet e veta.

    Jeni i ftuar në Tiranë të diskutoni mbi identitetin kombëtar, një çështje e debatuar gjatë kohët e fundit. Cila është qasja juaj mbi këtë çështje?
    Çështja e identitetit kombëtar është një nga çështjet më delikate dhe më të vështirë për përkufizim. Si çdo individë, ashtu edhe çdo komb vuan nga narcisizmi dhe parapëlqen që ta idealizojë të kaluarën, prejardhjen, madje duke e përvetësuar namin e të tjerëve.
    Shqiptarët janë të rrethuar nga popuj që kanë një dedikim fanatik për ta idealizuar veten dhe për t'i djallëzuar të tjerët, shqiptarët janë të rrethuar nga popuj që nacionalizmin e tyre e kanë shndërruar në sistem, ndërkaq ata vetë kultivojnë një nacionalizëm reagues, që perceptohet si incident. Ata që e kanë institucionalizuar nacionalizmin, kanë arritur ta rezervojnë të drejtën që t'i takojnë një tradite të shenjtë religjioze, të përvetësojnë tërësisht vlerat e një periudhe të lavdishme historike, siç është ajo e antikës apo e mesjetës, duke e bërë mishmash historinë vetëm e vetëm që të kenë një prejardhje të fisme. Në këtë kontekst vetëm shqiptarët shfaqin tendenca tejmase kritike, të mos them mazohiste që karikaturizon çdo tendencë për përkufizim më të qartë të identitetit të tyre kombëtar. Kundër kësaj janë të rreshtuar njëkohësisht, ndonëse me motive të ndryshme, komunitaristët ideologjikë, fetarë, kozmopolitë që mohojnë seriozitetin e përpjekjeve për ta përkufizuar identitetin kombëtar. Kjo qasje kritike çuditërisht nuk zbatohet kur bëhet fjalë për identitet fetar apo më përgjithësues, bie fjala si identiteti evropian. Këta autorë shpeshherë dhe pa dilema pohojnë se ekziston një identitet evropian, ndërkaq mohojnë pretendimi se eksiton kategoria e identitetit kombëtar. Në aspektin teorik lidhur me këtë çështje përplasen teoritë esencialiste, primordialiste dhe ato konstruktiviste që pandehin se identiteti kombëtar është diçka e sajuar, prandaj propozoj dekonstruktimin e këtij sistemi, për ta të sajuar. Nga ana tjetër, primordialistët e shndërrojnë identitetin kombëtar në një esencë ontologjike, të pandryshueshme në të gjitha etapat historike. Ata po ashtu edhe shtetin e shndërrojnë në kategori të këtillë. Bie fjala ideologët serb kur flasin për mesjetën ata përdorin një diskurs që në vete ngërthen motive, relacione të sotmes. Çdo gjë që është e mirë përvetësojnë, ndërkaq të këqijat ia mveshin të tjerëve, sidomos shqiptarëve. Sipas tyre identiteti serb si dhe shteti serb gjithmonë kanë ekzistuar në trajtën e sotme. Kështu veprojnë grekët, maqedonasit dhe vetëm shqiptarët tregojnë një butësi shpesh herë në dëm të tyre. Mendoj se nuk mundet ta absolutizohen këto koncepte, qofshin ato esencialiste apo konstruktiviste. E vërteta është diku në mes. Identiteti i një populli ndryshon, por është me rëndësi që ai popull t'i pranojë këto ndryshime si pjesë të traditës , të historisë së tij dhe të identifikohet me to. Konstruktivistët që veten e trajtojnë si intelektual të mirëfilltë janë të bindur se përcaktimet për kultivim të identitetit kombëtar janë sajesa dhe nuk përputhen me realitetin historik apo aktual. Kundër këtij përcaktimi ekzistojnë një varg argumentesh. Argumenti kryesor është, bie fjala, shpërputhja e mendësisë evropiane me atë krishtere. Ndonëse evropianët e pranuan me hezitime të shumta krishterizmin, modeli identifikues për këtë qytetërim nuk është figura e përvuajtur, e përkortë e Jezu Krishtit, por figura e atletit olimpik. Nga përplasje ndërmjet mendësisë agresive, militariste evropiane dhe mëshirës kristiane u bënë ndryshime të dy anshme, por kryesisht krishterizmi u detyrua që të lejojë luftën kundër të pafeve (kryqëzatat) dhe kundër krijesave të demonizuara (inkuizacioni). Filozofi gjerman Slloterdijk këtë mentalitet, këtë identitet evropian e cilëson si protofashist, militarist. Nisur nga këto shembuj mendoj se nacionalizmi si dhe identiteti kombëtar janë vlera evropiane dhe kurrsesi jo anakronizma që duhet të eliminohen.

    Le ti rikthehemi pak asaj që ndodhi në Maqedoni ndërmjet shqiptarëve përgjatë procesit zgjedhor. Është një njollë turpi që shqiptarët po e kanë të vështirë ta tejkalojnë. A i dëmtojnë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë këto ndodhi dhe si mund të kapërcehen?
    Në shtetet multietnike në asnjë mënyrë nuk ndërpritet gara etnike. Në këtë vijë përdoren mjete të ndryshme për të ndërprerë një proces konsolidues të kundërshtarit etnik. Në çdo shoqëri në tranzicion ekziston mundësia e incidenteve të këtij llojit. Këto kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Këtë energji që krijohet pas një fushate të ashpër ku tjetri djallëzohej shpesh herë vetë shteti kanalizon në drejtime që do të paraqesë grupin tjetër etnik si të padenjë për demokraci. Kur ndodhën këto incidente në Maqedoni, zyrtarët në bashkëpunim me mediumet njëzëri krijuan idenë se faji është i shqiptarëve, se ata nuk kanë vlera qytetëruese për ta pranuar demokracinë dhe vlerat tjera të shoqërive moderne. Ky rrëfim u ndal kur faktorët evropianë refuzuan ta pranojnë këtë shpjegim dhe megjithatë e akuzuan qeverinë për organizim të dobët të zgjedhjeve. Faji u bart te PDSH-ja, ndonëse në atë incident me pasoja tragjike morën pjesë aktivistët e BDI-së dhe njësitë speciale policore, ALFA-t. Natyrisht nuk kam për qëllim të bëjë apologjinë e këtyre incidenteve, por të hedhë dritë mbi fenomenet që futen nën rrogoz.

    Forumi për Demokraci dhe Etikë ka hapur degën e saj në Maqedoni e cila është mirëpritur edhe nga shqiptarët edhe nga maqedonasit. Si mund ta luaj rolin e saj FDE për të përbashkuar qëndrimet e partive politike atje për hir të interesave madhore të shqiptarëve?
    Ideja është vetvetiu shumë e mirë dhe e nevojshme. As demokracia, as ligjet pa etikë nuk mund të implementohen. Mungesa e etikës shpesh herë e shndërron demokracinë në instrument të manipulimit, sidomos në shtetet multietnike. Në Maqedoni, bie fjala në fillim koncepti i demokracisë, përkatësisht e drejta për mbivotim u shndërrua, më mirë thënë u degjenerua në procedurë të eliminimit. Shumica etnike gjithmonë mbivotonte pakicën etnike. Në periudhën prej vitit 1991-1998 asnjë amendament i deputetëve shqiptarë nuk u votua. Shumica etnike e përdorte demokracinë si instrument për përvetësim të begative të shoqërisë. Organizatat jo qeveritare mund të luajnë rol të rëndësishëm në ndriçimin e këtyre devijimeve dhe të krijojnë opinion, vetëdije se në këtë mënyrë thellohen antagonizmat etnike në shoqëri që pastaj vështirë mund të qetësohen. Këto organizata që formohen kryesisht nga motive dhe qëllime të mira mund të kenë sukses vetëm e vetëm nëse bartësit e projektit e shohin veten në rolin e misionarit. Pa këtë veçori shumë shpejtë këto institucione jo qeveritare burokratizohen dhe nuk arrijnë ta realizojnë obligimin e marrë. Uroj që FDE-ja ta luajë rolin e vetë, misionin etik me sukses të plotë.
    (STANDARD)

      Ora është Wed May 08, 2024 1:54 pm