Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

    Lajmet e sodit.

    !nva7ionN
    !nva7ionN
    Super Moderator
    Super Moderator


    Numri i postimeve : 71
    Join date : 23/04/2009

    Lajmet e sodit. Empty Lajmet e sodit.

    Mesazh  !nva7ionN Thu Apr 30, 2009 11:22 am

    Biznesmenët shqiptar, të paknaqur

    Shkup, 28 prill - Në kuadër të takimeve të vazhdueshme me përfaqësuesit e Odave ekonomike të Maqedonisë, ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi, takoi komunitetin e biznesit privat të organizuar në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, me ç'rast i njoftoi me masat e anti-krizë, gjegjësisht me pakon e tretë, të cilën Qeveria e miratoi javën e kaluar.
    "Këto janë masa si rezultat i takimeve të shumta që patëm me përfaqësuesit e odave ekonomike. Përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga Banka maqedonase për zhvillim është propozim që ka dalë nga odat ekonomike, me qëllim që të përshpejtohet aktiviteti i komunave për ndërtimin e zonave industriale si dhe përforcimi i kontrollit të cilësisë së prodhimeve që hynë në Maqedoni", tha Fatmir Besimi ministër i Ekonomisë. Pakoja e tretë anti-krizë, sipas Besimit, nënkupton kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes Bankës maqedonase për zhvillim si dhe lehtësimin e procedurave doganore për tregti.
    "Ka pasur dhe propozime tjera, të cilat nuk u përfshinë në pakon e tretë anti-krizë të Qeverisë, mirëpo shpresojmë se këto masa do të japin rezultatet e saja dhe do kenë efekte reale në ekonominë e vendit", thotë Besimi. Ndërkaq për kryetarin e Odës Ekonomike Veriperëndimore, Xhemali Dauti, edhe pse në masat e fundit anti-krizë të Qeverisë janë pranuar disa propozime të kësaj Ode, tha se me keqardhje konstaton se nuk është i kënaqur, sepse ka edhe propozime tjera që dukshëm do të ndikonin në zbutjen e pasojave me të cilat u prek komuniteti i bizneseve shqiptare.
    "Në pakon e tretë të qeverisë nuk u përfshin propozimet për lirimin nga tatimi i vlerës së shtuar për të gjithë të huajt qe blejnë prodhime në vlerë jo me pak se 300 euro si dhe propozimi për lirim nga masa ndëshkuese për gjobitje të personave fizik (sipas ligjit për tatim personal është në vlerë prej 70%) në rast mosparaqitjeje të fitimit", tha Dauti. Kryetari i OEMVP-së, Dauti, në veçanti kërkon që Qeveria të rishqyrtojë edhe njëherë njërin nga propozim-masat, e cila ka të bëjë me lirimin e kompanive nga pagesa e kontributeve për shëndetësi, pension dhe sigurim social, të cilat nuk e kanë bërë viteve të kaluara, dhe të bëjë korrigjimin e saj, sepse ky propozim i vë në pozitë të palakmueshme kompanitë që viteve të kaluara kanë qenë taksapagues të rregullt.



    Së pari buxhet, pastaj shpërndarje të fakulteteve
    Urim HASIPI
    Tetovë, 28 prill - Universiteti Shtetëror i Tetovës ndjehet i anashkaluar nga vendimi i Qeverisë për shpërndarjen e disa fakulteteve në Shkup, Kërçovë dhe Strugë. Ushtruesi i detyrës së rektorit të USHT-së, Agim Vela, thotë se institucioni ndodhet para një akti të kryere dhe sipas tij, kjo formë e vendimmarrjes pa konsultim po cenon autonominë universitare. Ai shprehet se për vendimin e Qeverisë, USHT është informuar përmes mediumeve, ndërsa thekson se përgjigje më e hollësishme do të jepet pas njoftimit zyrtarë. "Qëndrimi ynë është se ky zgjerim duhet të bëhet në marrëveshje me organet përkatëse të Universitetit, respektivisht me Senatin. Kjo për arsye se në këtë rast USHT mund të humb integritetin e vet, meqenëse disperzicioni i këtillë, neve na shtron para momenteve të vështira rreth organizimit të procesit mësimor, siç është çështja e hapësirave të universitetin, kuadrit dhe natyrisht kontrolli i cilësisë së punës. Apriori, qëndrimi ynë është që të bëhet disperzimi brenda kampusit të USHT-së, të hapen drejtime të reja por brenda USHT me seli në Tetovë. Ne jemi për shkollimin e të gjithë qytetarëve veçanërisht të shqiptarëve, por mendoj se Tetova nuk është aq larg këtyre qendrave siç është Shkupi, Kumanova, Kërçova dhe Struga", deklaroi Vela.
    Rektori i USHT-së, Agim Vela, është shprehur se Universiteti ka në planet e tija zgjerimin, por në momente tjera të zhvillimit të tij. "Ne kemi në planin tonë afatgjatë që realizimi i zgjerimit të bëhet hap pas hapit, në mënyrë të hollësishme të analizohet, duke filluar nga mundësitë tona kadrovike edhe hapësinore, sepse universiteti kërkon kushte paraprake për tu realizuar procesi mësimor", thotë ushtruesi i detyrës rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agim Vela. Qeveria një ditë më parë përmes zëdhënësit, Shefik Duraku, ka njoftuar se është sjellë vendim për disperzimin e Fakultetit Juridik dhe Administrim Biznesit në Shkup dhe Kërçovë, si dhe Fakultetit Ekonomik në Strugë.



    Mësim-besimi jashtëligjor

    Shkup, 28 prill - Gati dy javë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndërprerje të mësim-besimit, nxënësit e shkollave fillore vazhdojnë të ndjekin këtë lëndë.
    Të vetëdijshëm për mësimin kundërligjor, në Ministrinë e Arsimit arsyetohen se shkollat kanë të drejtë mësimi deri në shkresën zyrtare të MASH-it.
    Këshilltari i MASH-it, Numan Sallai, ka theksuar se përveç shkresës zyrtare, institucioni që drejtohet nga ministri Pero Stojanovski, ende nuk ka përgjigje se çfarë do të ndodh me teologët që tanimë janë punësuar nëpër shkollat fillore dhe ligjërojnë lëndën e besimit. "Jemi të vetëdijshëm se çdo vendim i Gjykatës duhet të zbatohet, mirëpo akoma në Ministrin e Arsimit nuk kemi sjell vendim zyrtar për mësim-besimin. Teologët do të vazhdojnë t'i mbajnë orët mësimore derisa MASH-i t'i njoftoj zyrtarisht me shkrim. Për momentin, nuk kemi asgjë konkrete. Jemi në fund të vitit, nuk mund të lejojmë humbjen e orëve mësimore. Mund të them vetëm atë që MASH-i së shpejti do të dalë me vendim zyrtarë", shprehet Sallai.
    Nga ana tjetër, drejtorët e shkollave fillore presin njoftim zyrtarë nga Ministria e Arsimit, përmes të cilit do të informohen nëse duhet të ndërpriten orët mësimore ose të vazhdohet të paktën deri në fund të vitit shkollor.
    Halil Palloshi, drejtor i shkollës fillore "7 Marsi", në Shkup, informon se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, rregullisht realizohen orët mësimore.
    "Jemi në fund të vitit shkollor. Orët e mësim-besimit janë paraparë edhe në orarin e shkollës. Nuk kemi arsye t'i ndërpresim, derisa Ministria e Arsimit nuk sjell vendim zyrtarë", thotë Palloshi. Edhe drejtori i shkollës "25 Maji", Hajrulla Emini, thotë se nxënësit e klasave të pesta po ndjekin akoma orët e mësim-besimit fetar.
    Njëjtë sikur në dy shkollat e lartpërmendura, edhe në shkollën "26 korriku", lënda e mësim-besimit fetar do të ligjërohet derisa MASH-i të vendos ndërprerjen e saj.
    Ndryshe, nga viti i kaluar më shumë se 13.700 nxënës të klasave të pesta në shkollat fillore të vendit kanë zgjedhur midis historisë së religjioneve dhe mësim-besimit fetar. Për pagat mujore të teologëve që kanë ligjëruar këto dy lëndë, shteti nga buxheti ndau 44 mijë euro në muaj ose më pak se 300 mijë euro për një vit shkollor. Pasi Qeveria asnjëherë nuk deklaroi se sa kushtoi fushata mediale për mësim-besimin fetar, dhe e përllogaritur me mjetet tjera në fushatat e ngjashme, mund të konstatohet se edhe për këtë fushatë u harxhuan rreth 400 mijë euro. Këtu parashihen edhe harxhimet e trajnimit të teologëve për dhënien e dy lëndëve fetare.
    Sipas të dhënave, edhe prindërit e rreth 13 mijë nxënësve kanë harxhuar gjithsej 60 mijë euro për librat, që kapin shumën prej 250 denarëve.



    Bexheti e Jusufi zotohen për bashkëpunim

    Tetovë, 28 prill - Hapja ndaj ideve dhe përvojave në interes të qytetarëve si dhe bashkëpunimi konstruktiv gjatë kohës së fushatës parazgjedhore kanë qenë tema bisede, në takimin e së martës, mes kryetarit të Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti dhe ish-kundërkandidatit për këtë post nga Demokracia e Re, Mahmut Jusufit.
    "Ne kemi pasur një kampanjë korrekte zgjedhore, ndërkohë që ky takim është në funksion të bashkëpunimit. Idetë e zotit Jusufi dhe të kabinetit të tij do t'i shfrytëzojmë për të mirën e qytetarëve, të cilat gjithashtu do të jenë në funksion të transparencës të punës sonë. Sugjerimet e tij do t'i kem parasysh, sidomos përvojën e tij institucionale", tha kryetari i Komunës së Tetovës Sadi Bexheti.
    Mahmut Jusufi ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar me përvojën e tij në interes të gjithë qytetarëve të Tetovës. " Parimisht gjatë kampanjës treguam sinqeritet politik dhe ne u zotuam se pavarësisht se kush do të fitojë do ta ndihmojmë në punën e tij", tha Mahmut Jusufi. Ai ka shprehur bindjen se Bexheti do të jetë i suksesshëm dhe kryetar i gjithë qytetarëve. Në zgjedhjet e fundit lokale, Mahmut Jusufi sipas votave u rendit në vendin e tretë pas kandidatit të BDI-së, Hazbi Lika. (U.H)



    Tollovi me njëdrejtimëshet

    Kumanovë, 28 prill - Gati një javë ka filluar sistemi i ri i rrugëve njëdrejtimëshe nëpër hapësirat më të frekuentuara të qytetit të Kumanovës. Janë vendosur shenja komunikacioni dhe prej tash vozitësit do të duhet të jenë më të kujdesshëm për kahet e tyre. Përderisa nga njëra anë kjo mënyrë e qarkullimit të automjeteve ka ndikuar pozitivisht tek qytetarët për të evituar tollovitë që shkaktoheshin, nga ana tjetër është krijuar kaos në komunikacion. Më të revoltuarit janë taksi vozitësit të cilët janë më të shpeshtë në qarkullim. "Është ide e mirë edhe pse ndoshta në shumicën e rasteve neve si taksi vozitës nuk na konvenon për shkak që ka disa rrugë që duhet të bëjmë një rreth për të arritur në vendin e dëshiruar. Mua personalisht më bëhet qejfi që është arritur një gjë e tillë, pas shumë viteve për shkak se në këtë mënyrë evitohen edhe aksidentet", thotë Abdullahu, taksi vozitës.
    Qytetarët thonë se kjo është dashur të bëhet më herët, sidomos në ato rrugë të ngushta ku janë të vendosur edhe shkollat. Shumë herë në rrugën "Karl Marks" e cila është pjesë e programit për rrugë një drejtimëshe, janë shkaktuar aksidente të cilët fatmirësisht nuk kanë përfunduar tragjikisht. Në këtë rrugë gjendet shkolla fillore dhe shkolla tjetër e mesme ekonomike. Faza e parë për rrugë një drejtimëshe do të përfshijë rrugët "Ivo llolla Ribar", "Narodna Revolucija", Leninova", "Ilindenska", "Boris Kidriq", Terst", Kiril dhe Metodi" dhe "Pero Cico". Ky vendim është sjellë nga Këshilli Komunal i Kumanovës, megjithatë vendosja e shenjave është bërë me vonesë, pas dy viteve të plota. "Me rregullimin e komunikacionit të rrugëve njëdrejtimëshe do të mundësohet lëvizje më e lirë të veturave nëpër rrugët e qytetit. Me realizimin e fazës së parë do të sigurojmë 400 vende për parkim të automjeteve" thotë Lidija Spasovska, shefe e sektorit të Urbanizimit në Kumanovë.



    Studim për konfliktet e nxënësve të Pollogut
    Tetovë, 28 prill - Profesori Aziz Vejseli të hënën me sukses ka mbrojtur temën e magjistraturës "Problemet social-pedagogjike të konflikteve të nxënësve adoleshent në Pollogun e Tetovës", para një paneli të profesorëve të USHT-së të drejtuar nga Nexhat Abazi dhe Myqereme Rusi, temë kjo e përgatitur nën mbikëqyrjen e mentorit Fatbi Osmani. Punimi përmban arritje të rëndësishme në disa drejtime. Trajton me profesionalizëm një nga problematikat më të mprehta të procesit kompleks të socializmit të të rinjve adoleshentë, profilin specifik të konflikteve të tilla, të konkretizuara edhe sipas përkatësisë gjinore, nivelit të përparimit në mësime, klasës në të cilën mësojnë, sfondit familjar etj. Punimi mikrotezë bazohet në arritjet më të përparuara të mendimit sociologjik e pedagogjik bashkëkohor, të cilat janë përdorur me racionalizëm, në mënyrë krijuese për të analizuar realitetin konkret të konfliktimeve të adoleshentëve në Pollogun e Tetovës. Një përdorim i tillë i literaturës dëshmon formim të shëndoshë teoriko-sociologjik të Aziz Vejseli. Me arsyetimet bindëse autori i këtij studimi ka argumentuar karakterin joshkencor e antishqiptar të të ashtuquajturave teori ose teorizime, sipas të cilave shqiptarët kanë gjen konfliktuoz të pandreqshëm, se shqiptarët nuk njohin paqen, por vetëm konfliktin e luftën, se shqiptarët janë mjaft vulgare në komunikim etj. Me fakte të pakundërshtueshme në këtë punim studimor provohet se adoleshentët shqiptare, dhe veçanërisht meshkujt shqiptarë përdorin më pak fjalë vulgare në krahasim me meshkujt e popujve fqinjë, sidomos kur ato komunikojnë në prani të femrave. Autori ka përdorur me frytshmëri metoda të ndryshme konkrete sociologjike për qëmtimin e fakteve dhe të opinioneve si studimi i dokumenteve përkatëse, intervista e biseda të lira me nxënës adoleshentë, prindër e mësues të tyre, vëzhgime të drejtpërdrejta e të tërthorta në mjedise të ndryshme ku mësojnë e socializohen adoleshentët. (U.H)



    Mbi 100 aksidente, vetëm me lëndime

    Gostivar 28 prill - Në tre mujorin e parë të këtij vitit, nëpër rrugët e Gostivarit me rrethinë janë regjistruar gjithsej 104 raste të ndeshjeve në komunikacion, të cilat fatmirësisht kanë përfunduar pa viktima në njerëz si dhe me numër më të vogël të personave që kanë pësuar lëndime trupore.
    Nga numri i përgjithshëm i aksidenteve, në shumicën e rasteve janë regjistruar vetëm dëme materiale, ndërkaq në 21 raste ka pasur lëndime trupore të drejtuesve të makinave dhe biçikletave si dhe kalimtarëve të rastit.
    Zëdhënësi i Policisë, Marjan Josifoski ka bërë të ditur se për dallim nga tre mujori i vitit të kaluar është shënuar ulje e rasteve të ndeshjeve në komunikacion.
    "Nëse bëhet një krahasim me dy vitet paraprake, rezulton që në tre mujorin e parë të 2009-ës të ketë më pak raste të ndeshjeve në komunikacion. Gjatë tre mujorit të vitit 2008 ka pas 122 raste të tillë, kurse gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2007 janë regjistruar diku 40 raste më shumë se gjatë këtij viti", thekson Josifoski.
    Mbi 35 raste të ndeshjeve në komunikacion kanë ndodhur në rrugët magjistrale me Tetovën dhe Kërçovën si dhe rrugën regjionale nga udhëkryqi në Mavrovë deri te Ura e Boshkut. Karakteristikë është dhe fakti që ndeshjet në komunikacion kanë ndodhur më së tepërmi gjatë ditëve të vikendit, edhe thuajse nga 20 për çdo vikend.
    Nga policia e Gostivarit, kanë bërë të ditur dhe shkaqet që kanë çuar deri te ndeshjet automobilistike. Nga atje nënvizojnë si arsye kryesore që kanë çuar deri te ndeshjet me pasoja më të mëdha, ka qenë shpejtësia e madhe e grahjes së automjeteve duke marr para sysh edhe kushtet që mbizotërojnë nëpër rrugët urbane dhe rurale.
    Bazuar në autorizimet zyrtare, me qëllim për të pasur rend dhe qetësi në komunikacion, brenda kësaj kohe, Policia e Gostivarit ka kryer mbi 2.600 kontrolle rutinë ndaj vozitësve dhe automjeteve. Nga kontrollet e kryera ka rezultuar se 155 automjete si dhe 122 drejtues të makinave, nuk kanë plotësuar kushtet e parapara me ligj për qarkullim në komunikacion. Drejtuesit e makinave, në të shumtën e rasteve janë hasur nën ndikim të alkoolit, pa leje të vozitjes apo pa librezë valide të automjeteve.
    Në tre mujorin e parë, policia ka ndarë 466 flet pagesa për shkelësit e ligjit si dhe 361 thirrje për pagesa të gjobave, prej të cilave 11 janë paguar në afatin e caktuar. Ndërkohë janë iniciuar dhe 885 kërkesa për realizim të veprave penale.

      Similar topics

      -

      Ora është Fri Apr 26, 2024 10:00 pm