Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

    Disa Lajme te reja.

    !nva7ionN
    !nva7ionN
    Super Moderator
    Super Moderator


    Numri i postimeve : 71
    Join date : 23/04/2009

    Disa Lajme te reja. Empty Disa Lajme te reja.

    Mesazh  !nva7ionN Mon Apr 27, 2009 6:25 pm

    E vërteta për Tadiçin


    Vizita e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, të premten në Manastirin e Deçanit, ka pasur efekte të mëdha politike - ashtu sikurse edhe mund të ketë qenë qëllimi i saj.
    Ditëve të fundit Qeveria e vendit, partitë opozitare dhe një numër analistësh kanë dhënë një pasqyrë të cilës i kanë munguar të gjitha faktet. Në disa raste, ndoshta faktet edhe me qëllim janë keqinterpretuar. Cili është rrëfimi i vizitës së Tadiçit?

    Tadiç kërkon ndihmë në
    "suksesin e vizitës"
    Zyrtarët e Serbisë asnjëherë nuk kanë kërkuar leje për të hyrë në Kosovë. Sipas dokumentacionit zyrtar, në të kaluarën, ata vetëm kanë kërkuar përcjellje policore nga ana e Misionit të Kombeve të Bashkuara në vend për t'i shoqëruar kudo që kanë dashur të shkojnë. Kësaj radhe, Zyra e Tadiçit nuk ka çuar letër në UNMIK. Ky mision nuk ka më policë dhe nuk mund të bëjë përcjellje të konvojeve.
    Zyra e Tadiçit i ka shkruar letër Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Beograd, Peter Sorensen, më 14 prill 2009. Kjo është një adresë e re. Por letra nuk është kërkesë për vizitë, vetëm informim se Tadiç do të vijë në Manastirin e Deçanit.
    "Po u shkruaj t'ju informoj se ekselenca e tij z.Boris Tadiç, President i Republikës së Serbisë, do të vizitojë Manastirin e Deçanit në të Premten e Mirë, më 17 prill 2009", kështu nisë letra. Një paragraf më poshtë thotë: "Ne sinqerisht u kërkojnë ndihmën tuaj në sigurimin e suksesit të kësaj vizite në një prej ditëve më të shenjta të kalendarit të Kishës Ortodokse Serbe".

    ICO nuk ishte e përfshirë
    Një numër komentuesish kanë folur se si Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICO) ka qenë e përfshirë në këtë procedurë. Për këtë shtrembërim ata nuk u korrigjuan nga asnjë institucion. ICO është themeluar sipas planit të Martti Ahtisaarit, të cilin Serbia e refuzon. Nëse ajo do të pranonte autoritetin e saj, ajo do të pranonte autoritetin e Deklaratës së 17 shkurtit 2008. Pieter Feith, i ka shkruar Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi më datën 15 prill, por vetëm në cilësinë e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Europian në Kosovë. "Do të dëshiroja t'ju informoj ju se ne kemi pranuar një kërkesë, përmes Përfaqësuesit Personal të BE'së në Beograd, për të lehtësuar vizitën e Presidentit Boris Tadiç në Kosovë të premten, më 17 prill 2009 për të vizituar Manastirin e Deçanit në të Premten e Mirë", ka shkruar Feith. "Ju lutem gjeni të bashkangjitura detajet e kësaj vizite dhe jepni konsiderimin tuaj të sinqertë. Ju pres të na informoni për vendimin tuaj".

    Vizita shkelë Kushtetutën
    Gjatë këtyre korrespondencave vërehet qartë se Zyra e Presidentit të Serbisë nuk ka kërkuar leje nga Qeveria e Kosovës për të shkuar në Deçan.
    Sidoqoftë, kur ka folur për "sigurimin e suksesit të vizitës" ajo duhet të ketë nënkuptuar që përfaqësuesit e BE-së të flasin me Prishtinën. Dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës ka qenë një faktor i konsultuar dhe i është kërkuar të marrë vendim për vizitën nga BE. Pastaj, Qeveria është shtyrë ta pranojë realizimin e kësaj vizite. Pas presionit diplomatik, Qeveria i ka thënë "po" përfaqësuesve të BE-së. Është po ashtu me rëndësi të pranohet se anashkalimi i UNMIK-ut nga Serbia është shumë i rëndësishëm dhe tregon rolin e humbur faktik të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
    Por, Qeveria e Kosovës nuk mund të mohojë faktet se kjo vizitë e Presidentit të vendit i cili e konsideron ende Kosovën pjesë të saj dhe kështu figuron edhe në Kushtetutën serbe, shkelë Kushtetutën e Kosovës. Qeveria duhet të tregojë hapur se Boris Tadiç nuk ka kërkuar leje formale prej saj. Dhe Kushtetuta e Kosovës nuk do të shkelej formalisht, vetëm nëse Tadiç do t'i shkruante institucioneve të Kosovës për vizitën.
    Tadiç, po ashtu, nuk ka kërkuar askund përcjelljen nga ana e Policisë së Kosovës.
    Thjesht, Zyra e Boris Tadiçit, formalisht, nuk ka komunikuar me autoritetet e Kosovës, por me Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Dhe, formalisht, vizita ishte shkelje e legjislacionit në fuqi në Kosovë. Ashtu sikurse është shkelje e Kushtetutës edhe pranimi i saj nga liderët kosovarë.

    Kredibiliteti i Tadiçit
    është i rëndësishëm
    Qeveria e Kosovës është e obliguar të tregojë saktësisht të gjitha faktet se si ka vizituar Tadiçi Manastirin e Deçanit, qoftë edhe duke shkelur Kushtetutën. Ndoshta "JO" e Prishtinës do të kishte qenë shumë më e rrezikshme edhe për vet Kushtetutën e Kosovës.
    Nuk është hera e parë që presioni ndërkombëtar shtynë në koncesione të tilla dhe ato ndodhin shpesh në realitetin politik të kohës. Boris Tadiç është një partner i rëndësishëm i Perëndimit në Ballkan. Tadiç udhëheqë Serbinë me synimin e integrimit në NATO dhe BE, ka pranuar shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, nuk është përgjigjur me dhunë kundër pavarësisë në shkurt 2008 dhe nuk ka ftuar serbët lokalë për rebelim. Ndonëse kredibiliteti i udhëheqësve kosovarë mund të dëmtohet në kuptim afatshkurtër, Tadiç është dashur të hyjë. Çfarë do të kishte ndodhur me kredibilitetin e tij në Serbi nëse kjo vizitë do t'i ndalohej? Me gjasë ai do të dëmtohej. Opsione tjera, sikurse tentimi i tij eventual për të hyrë, përkundër "jo-së" kosovare do të mund të kishte prodhuar reaksione tjera, ose reagim të serbëve kosovarë... Në anën tjetër, edhe kosovarët kanë të drejtë të indinjohen nga shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës së Kosovës. Kjo atmosferë mund të deduktohet edhe nga vet nevoja që Ambasada e SHBA-së në Prishtinë të lëshojë një komunikatë në mbështetje të Qeverisë së Kosovës. Por, po ashtu, Boris Tadiç nuk duhet të shes "suksesin e vizitës së tij" përballë opinionit serb. Kosova është e shkëputur nga Serbia. (Express)




    Sarkozi zgjidh gjuhën, ofendon liderët tjerë


    Të gjithë mund të imagjinojnë se mbledhjet në Shamp Elize, në mos shumë sekrete, së paku zhvillohen me kujdesin që jo gjithçka që thuhet aty të mësohet nga publiku. Por Nikolas Sarkozi është aq i shpenguar (ose i sigurt në vetvete) sa të flasë lirshëm edhe mbi tema të sikletshme si me ministrat e administratës së vet, ashtu edhe me deputetët e opozitës. Më pas, ndodh që fraza të nxehta të pëshpëriten nga ndonjë prej të pranishmëve, duke bërë, për shembull, që publiku të mësojë ç'mendon Sarkozi personalisht për Obamën, Angela Merkel, Barrozon, Zapateron apo edhe për veten. Batuta që po të thuheshin zyrtarisht do ngrinin në qiellin e shtatë çdo gazetar, por që detyruan Shamp Elizeun të përgënjeshtronte menjëherë gjithçka, sidomos një koment pak të studiuar mbi Kryeministrin spanjoll, i cili konsiderohet nga Presidenti francez "jo shumë i zgjuar".
    Sa për Presidentin e ri amerikan, Sarkozi mendon se "jo gjithnjë është në lartësinë e duhur për sa i përket vendimeve dhe efikasitetit", por e kupton: "Është zgjedhur vetëm dy muaj më parë dhe nuk ka drejtuar kurrë një ministri". Duke iu gëzuar paktit të ri franko-gjerman, Sarkozi ka vërejtur se Merkel "u rreshtua" përkrah Francës, "kur më në fund e kuptoi ku ishin katandisur bankat dhe industria automobilistike gjermane". Më i kujdesshëm për Barrozon: "Zëre se nuk ishte fare në G20". Por për Zapateron ka rezervuar edhe ndonjë fjalë të mirë, ndoshta jo shumë i zgjuar, por aq i aftë sa për të marrë shembull nga Sarkozi: "Edhe qeveria spanjolle ka vendosur të pakësojë reklamat në televizionet shtetërore". Tone sarkastike edhe lidhur me ish- kryeministrin socialist Zhospin: "Ka njerëz të zgjuar, por që nuk kanë arritur të hyjnë as në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në karrierën time shpesh jam përballur me kundërshtarë më të zgjuar e më të ngritur se unë!". Më pas, do të duket e çuditshme, por fjalë të mira për Berluskonin: "Gjëja më e rëndësishme në një demokraci është të arrish të rizgjidhesh. Shikoni atë, ia ka dalë tri herë". Gazeta që nxori të gjitha këto në shesh është e përditshmja "Liberation", gjë që i bën francezët të besojnë se "spiuni" me shumë gjasa është njeri i së majtës, i pranishëm në Elize në kuadrin e një analize bipartizan të rezultateve të Samitit G20. Por në një çast kur dëgjohen zëra për lëvizje të mundshme në kabinetin qeveritar, nuk do të ishte çudi edhe sikur pabesia të jetë bërë prej dikujt nga e djathta. Sarkozi, atë ditë, kishte cilësuar "qesharake e të pavenda për sytë e francezëve" sjelljet e disa ministrave në media. Zëdhënësi i Elizeut tha lidhur me këtë rast se "Presidenti rekomandoi gjakftohtësi, qetësi dhe vetëkontroll". Ndërsa sipas "spiunit",
    Sarkozi ishte më i shqetësuar nga zakonisht, dërgonte vazhdimisht mesazhe me celular dhe u drejtohej të gjithëve me ti.




    Njohjet do të vazhdojnë


    Njohja ndërkombëtare e Kosovës do të vazhdojë si para ashtu edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kështu është shprehur në një intervistë për Zërin e Amerikës drejtoresha e Programit për Evropën të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Freizer. Megjithatë, tha ajo, qeveria e Kosovës duhet të luajë një rol të rëndësishëm për t'i treguar botës se është një shtet që kontribuon ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon. Kjo qeveri, sipas saj, duhet të përpiqet më shumë t'i bindë vendet e tjera ta njohin atë.
    Sipas Freizerit, është e rëndësishme që Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë të konstatojë se vendimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është ligjor dhe të mos thotë se pavarësia e Kosovës është e paligjshme.
    E pyetur ndërkaq nëse mendon se mund të ketë paqe dhe stabilitet afatgjatë në Kosovë nëse nuk zgjidhet çështja e Mitrovicës, Freizer ka thënë se "situata në Mitrovicë nuk mund të vazhdojë siç është tani, nuk mund të ketë dhunë, nuk mund të ketë banda të armatosura që operojnë atje, apo agjentë të fshehtë".
    "Eventualisht shpresoj që të ketë një farë pajtimi dhe populli i Mitrovicës të arrijë të bashkëjetojë. Kthimi i të zhvendosurve është i rëndësishëm në të dy anët. Dy pjesët e komunës së Mitrovicës duhet të bashkëpunojnë dhe shpresoj që populli i Mitrovicës dhe komuniteti ndërkombëtar të kontribuojnë në këtë pajtim", ka theksuar ajo.




    8.000 grekë të pastrehë


    Rreth 8.000 grekë, pa përfshirë të huajt dhe romët, prej të cilëve 5,324 vetëm në Athinë, nuk kanë shtëpi dhe jetojnë në kushte të tmerrshme, njoftoi Ministria greke e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në Atika, një zonë kjo e Athinës, 2,044 grekë jetojnë nëpër baraka, 1,209 në rrugë, 582 nëpër strehimore të ndryshme dhe 65 në bujtina. Në Selanik ka 552 të pastrehë, në Patra 415,
    në Evros 275, kurse në Larisa 111. Ndërsa, Enti Statistikor i Greqisë njoftoi se, sipas hulumtimit të kryer vitin e kaluar, mbi 20 për qind të popullatës kërcënohet nga varfëria.




    Obama "shfajëson" CIA-n për torturat


    Barak Obama "shfajëson" agjentët e CIA-s që kanë përdorur "për hir të detyrës" metoda të forta gjatë marrjes të të burgosurve në pyetje. Presidenti amerikan, në një komunikatë që shoqëroi publikimin e katër memorandumeve të administratës "Bush" mbi metodat e lejuara të marrjes në pyetje në kuadrin e luftës kundër terrorizmit, siguroi se agjentët e CIA-s nuk rrezikojnë ndjekjen penale. "Duke publikuar këto dokumente kërkojmë të sigurohemi se agjentët, të cilët kanë vepruar për hir të detyrës duke u bazuar te këshillat e marra nga Departamenti i Drejtësisë, nuk do të bëhen subjekt i asnjë hetimi", u shpreh Obama, duke shpjeguar se "jemi në një çast reflektimi, jo hakmarrjeje".
    Qendrat famëkeqe të burgimit, të ashtuquajturit "vendet e zinj", në Azi dhe në Evropën Lindore, u mbyllën nga administrata "Obama", e cila, duke denoncuar përdorimin e torturës, vendosi të publikonte disa dokumente për të ndihmuar Amerikën "të përballet me një kapitull të errët e të dhimbshëm" të historisë së saj. Memorandumet - ekzistojnë katër të tillë, nga viti 2002 në 2005 - përshkruajnë një seri teknikash agresive marrjesh në pyetje, të autorizuara nga administrata "Bush", që shkonin nga tortura me ujë, te lënia e të burgosurve pa gjumë, e tek ekspozimi i tyre në temperatura shumë të ulëta apo shumë të larta. Dokumentet u bënë publike pas një debati të brendshëm mjaft të nxehtë, të nxitur sidomos nga shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Publikimi i dokumenteve përkon me nisjen e një hetimi të së përditshmes amerikane "New York Times", në qendër të të cilit qëndrojnë një seri raste abuzimesh të Agjencisë Kombëtare të Sigurimit (National Security Agency, NSA), agjencia amerikane e kundërspiunazhit. Abuzimet janë kryer gjatë muajve të fundit të administratës "Bush" dhe kanë të bëjnë me praktikën e përgjimit të qytetarëve amerikanë në SHBA dhe jashtë vendit pa mandat nga gjykatat. Sipas së përditshmes, NSA ka përgjuar biseda private mes qytetarëve amerikanë, në një shkallë që i kalonte në masë shumë të madhe kufijtë e miratuar nga Kongresi. Mes shënjestrave të "veshit të madh" të kësaj agjencie, kishte qenë edhe një kongresmen: parlamentari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, dyshohej se kishte kontakte me një ekstremist, i cili gjendej nën vëmendjen e agjencisë për raporte të afërta me disa grupe terroriste teksa gjendej në Lindjen e Mesme me një delegacion parlamentar në vitin 2005 ose 2006. Për praktikimin e torturës ka folur edhe Riçard Armitazh, numri dy i Departamentit të Shtetit në administratën e parë "Bush". Ish-zëvendësi i Kolin Pauell ka pranuar në një intervistë në televizionin "Al Xhazira", që CIA ka torturuar disa të dyshuar si terroristë me mirëkuptimin e Shtëpisë së Bardhë, por nënvizoi se as Pauell e as ai vetë nuk ishin në dijeni.

      Ora është Thu Mar 28, 2024 11:16 am