BDI e kënaqur në Qeveri

    Share

    !nva7ionN
    Super Moderator
    Super Moderator

    Numri i postimeve : 71
    Join date : 23/04/2009

    BDI e kënaqur në Qeveri

    Mesazh  !nva7ionN prej Mon Apr 27, 2009 6:15 pm

    BDI e kënaqur në Qeveri


    Urim HASIPI & Bekim MURATI
    Shkup, 26 prill - Për Bashkimin Demokratik për Integrim, marrëdhëniet me Kosovën janë në nivel, ndërsa pakënaqësitë e dy nënkryetarëve të kësaj partie, Teuta Arifi dhe Rafiz Haliti lidhur me ndikimin në Qeveri - janë pakënaqësi personale. Deklarata e radhës e anëtarit të Këshillit të përgjithshëm të BDI-së, Gëzim Ostreni, se "s'ka arsye pse BDI të mos e jetë e kënaqur në Qeveri", ka treguar se "zhurma" e javës së kaluar nga dy nënkryetarët Rafiz Haliti e Teuta Arifi kanë qenë një shou për opinionin. Edhe pse disa vendime të kryeministrit Gruevski, opozita, intelektualët dhe shoqëria shqiptare i konsideroi si antishqiptare, BDI vazhdon të heshtë.
    "Marrëdhëniet dhe ndikimi i BDI-së në Qeveri nuk kanë qenë temë e kësaj mbledhje, megjithëse s'ka arsye pse të jemi të pakënaqur... për këto çështje duhet të flisni me kryetarin e partisë. Unë personalisht jamë i kënaqur me pjesëmarrjen tonë në Qeveri", ka thënë Ostreni. Madje, siç ka informuar ai, nuk është diskutuar edhe "durimi" i BDI-së lidhur me moszgjidhjen e çështjes së kontestit të emrit të Maqedonisë me Greqinë.
    Ai nuk e ka komentuar edhe rolin neutral të Qeverisë së Maqedonisë në Gjykatën e Hagës për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës, megjithëse ka thënë se "marrëdhëniet ndërfqinjësore janë në nivel të mirë, ndërsa po punohet që shumë shpejtë të lidhen edhe marrëdhëniet diplomatike me Kosovën".
    Në këtë mbledhje, siç ka theksuar Ostreni, është diskutuar për organizimin e Kongresit të partisë, i cili duhet të mbahet pas tre ose katër muajve, si dhe për reformat në parti, të cilët duhet t'i paraprijnë Kongresit të partisë.

    LSDM: Marrëdhënie
    diplomatike me Kosovën
    Ndryshe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, e cila ka vendosur të jetë neutrale në raport me procedurën që udhëhiqet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, është Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ajo që ka kërkuar miratimin e sa më të shpejtë të marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën zyrtare.
    Kryetari i partisë më të madhe opozitare - LSDM, Zoran Zaev, të shtunën ka thënë se Maqedonia duhet të kurorëzojë marrëdhëniet diplomatike me Kosovën, ndërsa ka alarmuar për mos qëndrimin e qartë të Qeverisë së Gruevskit lidhur me këtë çështje.
    "Përcaktimi për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore me Kosovën është mirë të kurorëzohet edhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Maqedonia nuk guxon të mos ketë qëndrim të qartë sa i përket pozitës së vendit lidhur me kontestin midis Serbisë dhe Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, e jo të mbajë qëndrim neutral", ka theksuar ushtruesi i detyrës së liderit të socialdemokratëve maqedonas, Zoran Zaev.
    Reagimi i tij ka pasuar pasi që Ministria e Jashtme e Maqedonisë, konfirmoi se qëndrimi i saj lidhur me procedurën për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë neutral, për shkak të ndjeshmërisë së raporteve fqinjësore me Serbinë dhe Kosovën. Në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme theksohet se Republika e Maqedonisë me politikën e saj konzistente në planin e jashtëm, pas marrjes së ftesës nga GJND-ja, është deklaruar se do të ngelet neutrale lidhur me procedurën që udhëhiqet pranë kësaj gjykate për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
    Dikasteri që drejtohet nga Antonio Milloshoski ka sqaruar se Maqedonia është e interesuar dhe ka postulatet e saj për zhvillimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me të gjithë fqinjët, konkretisht Serbinë dhe Kosovën.
    Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ka dorëzuar Ministrisë së jashtme të Kosovës 35 deklaratat e deponuara rreth rastit të Kosovës. Zyrtarë të ministrisë thanë për mediat se ekspertët kanë filluar shqyrtimin e tyre. Përgjigjet duhet të kthehen deri më 17 korrik.

    Reagon edhe ZGJOHU!
    Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!", në një komunikatë për media ka shprehur se me dëshpërim ka pranuar lajmin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë për të mbajtur qëndrim neutral në procedurën e iniciuar nga Serbia para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për vlerësimin e shpalljes së pavarësisë të Republikës së Kosovës. "Autoritetet e Republikës së Maqedonisë me shumë vonesë u bashkërenditën me agjendën e partnerëve strategjik në NATO dhe BE për të njohur Republikën e Kosovës krahas kërkesave të vazhdueshme të faktorit civil dhe partiak shqiptar në Maqedoni. Edhepse Republikën e Kosovës sot e kanë njohur 58 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, 7 nga 8 shtetet anëtare të G8, 22 anëtare të Bashkimit Evropian dhe 24 anëtare të NATO-s, Maqedonia vendos të mos bashkërenditet me botën e zhvilluar perëndimore dhe qëndron indiferente", thuhet në komunikatën e ZGJOHU!.

    BDI të mos luaj rolin e kukullave
    Politika e pakuptimtë e qeverisë aktuale, sa i përket vënies së raporteve diplomatike me Republikën e Kosovës, edhe një herë dëshmon se participienti shqiptarë në qeveri - BDI vazhdon me politikën e saj të pakuptimtë dhe hutuese për shqiptarët në Maqedoni, por edhe në Kosovë. Kështu ka akuzuar deputeti i Demokracisë së Re, Abedin Zimberi, i cili në emër të DR-së, ka kërkuar nga partia e Ahmetit që të mos luaj rolin e kukullave në këtë qeveri, por të ngrejë zërin dhe të qëndrojë në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë. "E rikujtojmë qeverinë se një e treta e popullatës në Maqedoni janë shqiptarë, andaj kërkojmë nga kjo qeveri që të ketë parasysh edhe ndjenjat shpirtërore, por edhe lidhjet familjare dhe të biznesit që shqiptarët e Maqedonisë kanë me Republikën e Kosovës. Po ashtu, kërkojmë urgjentisht nga kjo qeveri që të vendosë raporte diplomatike me Kosovën dhe të jetë promotor për të patur fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet fqinje", ka thënë Zimberi.

      Ora është Fri Dec 09, 2016 9:37 am