Të kuptuarit e "la ilahe il-lallah"

    Share

    Admin
    Web Master
    Web Master

    Numri i postimeve : 146
    Join date : 13/04/2009

    Të kuptuarit e "la ilahe il-lallah"

    Mesazh  Admin prej Sat May 02, 2009 10:56 am

    Të kuptuarit e “la ilahe il-lallah”

    --------------------------------------------------------------------------------

    Të kuptuarit e “la ilahe il-lallah”

    Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
    Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

    Të nderuar besimtarë!

    Adhurimi është afrim tek Allahu me fjalë dhe vepra të dukshme dhe të padukshme. Adhurimi është obligim i njeriut ndaj Allahut dhe dobia e saj i kthehet njeriut.
    Kush refuzon adhurimin e Tij, ai është jobesimtar kryelartë, kush adhuron së bashku me Allahun dikë tjetër, ai është idhujtar (mushrik), kush adhuron Allahun me diçka që Ai nuk e ka shpallur, ai është bidatçi, kush adhuron Allahun me atë që Ai ka shpallur, është besimtar i vërtetë.
    Krenaria, lumturia dhe nderi në këtë botë dhe në botën tjetër është për shkak se njeriu ka nevojë për Krijuesin e tij dhe nuk mund të pavarësohet asnjë moment, kurse Allahu nuk është i nevojshëm për adhurimin e njerëzve.
    Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse ju nuk besoni, Allahu nuk është nevojtar për ju…”1
    “E Musai tha: "Nëse ju dhe të gjithë ata që janë në tokë mohoni, Allahu është i panevojshëm (për falënderim), është i lavdishëm (vetvetiu)."2
    Adhurimi është një term përmbledhës i të gjitha atyre që Allahu i do dhe është i kënaqur me to, qofshin këto fjalë apo vepra, të dukshme apo të padukshme.

    Të nderuar muslimanë!

    Hytbeja jonë e sotme titullohet “Të kuptuarit e "la ilahe il-allah’’. Këtë temë do ta shtjellojmë si vijon:
    1. Fjala e teuhidit “La ilahe il-lallah”
    2. Llojet e teuhidit
    3. Kushtet e teuhidit “La ilahe il-lallah”
    E lus Allahun e Lartësuar që ta lehtësojë shtjellimin e kësaj teme!

    Fjala e teuhidit ‘’La ilahe il-lallah’’

    Kur një individ dëshiron me vullnet të lirë t’i dorëzohet Krijuesit Allah, duhet t’i shprehë disa fjalë që kanë kuptim, rëndësi dhe domethënie shumë të madhe, me këtë rast duhet të thotë fjalën e teuhidit: LA ILAHE IL-LALLAH ve MUHAMEDUN RESULULLAH (Nuk ka Zot tjetër i cili meriton të adhurohet përveç Allahut dhe Muhamedi salallahu alejhi ue selam është i Dërguar i Tij).
    Kur shqiptojmë dëshminë, shehadetin, teuhidin, konfirmojmë se nuk ka zot tjetër i cili meriton adhurimin përveç Allahut
    Kjo nënkupton që ne refuzojmë nënshtrimin dhe robërimin ndaj dikujt tjetër përveç Allahut.
    Nënkupton që nuk i frikësohemi askujt tjetër përveç Allahut, që ndjenjat tona më madhështore të dashurisë dhe të mirënjohjes janë për Allahun, sepse e dimë se Ai është furnizuesi i vërtetë i çdo gjëje që ne posedojmë. Nënkupton që ne nuk kërkojmë kënaqësinë apo miratimin e dikujt tjetër përveç Allahut.
    “Feja e vetme e pranueshme tek Allahu është Islami.”3
    “E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.”4

    Të nderuar muslimanë!

    Për fjalën njësuese “La ilahe il-lallah”, Allahu ka krijuar krijesat dhe njeriun që ata ta adhurojnë: “Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhinët, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua.”5
    Për dëshminë “La ilahe il-allah” dëshmoi vetë Allahu i Lartësuar, dëshmuan engjëjt dhe të diturit: “Allahu dëshmon se La Ilahe il-la Huve (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij); (dëshmojnë) edhe melekët, edhe ata që kanë mend e që dinë; Ai e mban krijimin e Tij në drejtësi të plotë. La Ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Atij), i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.”6
    Atëherë duhet të kuptojmë se teuhid do të thotë deklarim me gjuhë, vërtetim me zemër dhe zbatim në praktikë.
    Imani i njeriut është të folurit i vërtetuar me zemër dhe duke u dëshmuar edhe në praktikë. Ky është qëndrimi i Ehli Sunetit dhe vetëm ky qëndrim qëndron. Kështu ishte te sahabët, tabiinët dhe te dijetarët e umetit islam.

    Të nderuar robër të Allahut!

    Llojet e Teuhidit

    Ai që pranon teuhidin “La ilahe il-lallah” duhet të njihet edhe më tutje me disa standarde që janë jetike për këtë botë dhe botën tjetër. Prej besimit tek Allahu i Lartmadhëruar është besimi në njëshmërinë e Tij, në adhurimin e Tij të vetëm përbëjnë tre llojet e teuhidit. Imani, besimi në Allahun e Lartësuar, përfshin tri gjëra, të cilat janë:

    1. Teuhidi Rububije (Njësimi i Allahut në zotërim)

    Besimi i prerë se Allahu është i vetmi Zot i çdo gjëje dhe Sunduesi i gjithçkaje. Ai është Krijuesi i vetëm, Rregulluesi dhe Komanduesi i Gjithësisë, vepron në të si të dojë.
    Ai i ka krijuar robërit dhe i furnizon ata, u jep jetë e ua merr atë dhe përcakton gjithçka. Argumenti për këtë lloj teuhidi është: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e Alemin-it (Zoti i të gjitha botëve, i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjendet në të, gjithçka që ka krijuar Allahu).”7

    2. Teuhidi Uluhije (Njësimi i Allahut në adhurim)

    Teuhidi i adhurimit dhe kuptimi i tij është besimi i plotë dhe i vendosur se Allahu i Lartmadhëruar është Zot i vërtetë dhe nuk ka të adhuruar tjetër veç Tij dhe çdo i adhuruar tjetër veç Tij është i kotë dhe i padrejtë.
    Njësimi i Tij në adhurim është me përulje dhe bindje të plotë, duke mos i bërë askush shok Atij dhe duke mos iu drejtuar dikujt tjetër përveç Tij, sikurse namazi, agjërimi, zekati, haxhi, lutja, kurbani, mbështetja, frika, shpresa, dashuria. Argumenti për këtë lloj teuhidi është: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë).”8

    3. Teuhidi Esma ues-Sifat (Njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij)

    Pra, besimi i plotë dhe i prerë se Allahu i Lartmadhëruar ka emra të bukur dhe cilësi të përsosura, është i shenjtëruar, i pastër nga të gjitha cilësitë e mangëta.
    Pranimi i çdo emri dhe cilësie që Allahu e ka pohuar për veten e Tij pa i përngjarë ato, pa i krahasuar, pa i mohuar dhe pa i ndryshuar. Argumenti për këtë lloj teuhidi është: “Dhe të Allahut janë gjithë Emrat më të Bukur, kështu që luteni Atë me ta dhe largojuni shoqërisë së atyre të cilët i përgënjeshtrojnë Emrat e Tij. Ata shpejt do të shpërblehen për çfarë kanë vepruar.”9

    Kushtet e teuhidit ‘’La ilahe il-lallah’’

    Këto ishin tre llojet e teuhidit. Në vazhdim po kujtojmë së bashku edhe kushtet e dëshmisë, fjalës “La ilahe il-lallah”. Ato janë:

    1. El-Ilmu – Dituria

    Ai i cili thotë “La ilahe il-lallah” duhet të mësojë dhe të dijë për atë se çka kërkojnë këto fjalë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dije pra, se padyshim La ilahe il-lallah (Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar pos Allahut), dhe kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret. Dhe Allahu di mirë për lëvizjet tuaja dhe për vendin ku qëndroni.”10

    2. El-Jekin – Bindja e paluhatshme

    Ai i cili thotë “La ilahe il-lallah” duhet të ketë bindje të plotë dhe aspak dyshim.
    Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht që besimtarë janë vetëm ata që kanë besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk kanë më pikë dyshimi, por përpiqen e luftojnë me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre për Çështjen e Allahut. Të tillë janë ata të vërtetët.”11

    3. El-Kabul – Pranimi

    Ai i cili thotë “La ilahe il-lallah” duhet të tregojë gatishmëri për çdo gjë që fton dhe kërkon kjo fjali.
    Allahu i Lartësuar thotë: “Fjala e vetme e besimtarëve të vërtetë, kur ata thirren tek Allahu (te Fjala e Tij, Kurani) dhe i Dërguari i Tij për të gjykuar mes tyre, është që të thonë: “Dëgjuam dhe u bindëm.” Dhe mu këta janë ata që fitojnë lumturinë (xhenetin e pasosur).”12

    4. El-Inkijad – Nënshtrimi

    Ai i cili thotë “La ilahe il-lallah” duhet të tregojë dorëzimin dhe nënshtrimin e plotë ndaj asaj që kërkon teuhidi.
    Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kushdo që ia nënshtron fytyrën (vetveten) e tij Allahut duke qenë muhsin (mirëpunues), atëherë ai ka kapur mbajtësin më të sigurt (fjalën: La ilahe il-lallah). Dhe tek Allahu është përfundimi për gjykim i të gjitha çështjeve.”13

    5. Es-Sidk – Vërtetësia

    Ai i cili thotë ‘’La ilahe il-lallah’’ duhet të jetë besnik dhe të tregojë vërtetësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Elif, Lam, Mim. A mendojnë njerëzit se do të lihen pa u trazuar ngaqë thonë: “Ne besojmë” - dhe nuk do të sprovohen? Dhe sigurisht që Ne i sprovuam ata të cilët ishin para tyre.
    Dhe vërtet që Allahu do ta bëjë të njohur (të vërtetën e) atyre që janë të vërtetë dhe (po kështu) vërtet që Allahu do ta bëjë të njohur (gënjeshtrën e) atyre që janë gënjeshtarë (edhe pse Allahu di gjithçka para se t’i vërë ata në provë).”14

    6. El-Ihlas – Sinqeriteti

    Ai i cili thotë “La ilahe il-lallah’’ duhet të tregojë sinqeritet në teuhid, duke e ruajtur dhe mbrojtur adhurimin nga njollat e shirkut. Allahu i Lartësuar thotë: “Medoemos se feja e vërtetë (adhurimi, përkushtimi e nënshtrimi) është vetëm për Allahun.”15

    7. El-Mehabe – Dashuria

    Ai i cili thotë “La ilahe il-lallah” duhet të shprehë dashurinë dhe respektin ndaj teuhidit. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ka prej njerëzve të cilët zgjedhin (për adhurim) të tjerë përveç Allahut, si shokë e të barabartë (me Allahun). Ata i duan këta të adhuruar të tjerë si Allahun, por ata që besojnë, e duan Allahun më shumë (se gjithçka tjetër).
    Veç sikur të mund të shihnin ata të cilët veprojnë të keqen, kur ta shohin dënimin, se gjithë fuqia i takon vetëm Allahut dhe se Allahu është i Rreptë në ndëshkim.”16

    8. Mohimi i Tagutit – Çdo gjë që adhurohet krahas Allahut

    Ai i cili thotë “La ilahe il-lallah” duhet të mohojë tagutin. Nuk guxon që të veçojë ndokënd tjetër me adhurim. Nëse e bën këtë, atëherë ka adhuruar tagutin.
    Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk ka asnjë detyrim në fe. Vërtet, Rruga e Drejtë është bërë e qartë nga rruga e gabuar. Kushdo që mohon Taghutin (çdo gjë tjetër që adhurohet përveç ose krahas Allahut) dhe beson në Allahun, atëherë ai është kapur për mbajtësin më të sigurt që nuk thyhet kurrë. Dhe Allahu është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.”17

    Të nderuar robër të Allahut!

    Në këtë hytbe mësuam për kuptimin e “La ilahe il-lallah”, llojet e teuhidit dhe shartet (kushtet) e dëshmisë. Në hytbet e ardhshme do të flasim për llojet dhe kushtet teuhidit një nga një.
    Allahu im!
    Të lutemi të na bësh të mundur që ta kuptojmë drejt teuhidin!
    Allahu im! Na jep dije, bindje, sinqeritet, vërtetësi, dashuri, nënshtrim dhe pranim!

    Përgatiti: Ulvi Fejzullahu

    1 Zumer, 7.
    2 Ibrahim, 8.
    3 Ali Imran, 19.
    4 Ali Imran, 85.
    5 Dharijat, 56.
    6 Ali Imran, 18.
    7 Fatiha, 1.
    8 Fatiha, 5.
    9 Araf, 180.
    10 Muhamed, 19.
    11 Huxhurat, 15.
    12 Nur, 51.
    13 Llokman, 22.
    14 Ankebut, 1-3.
    15 Zumer, 3.
    16 Bekare, 165.
    17 Bekare, 256.
    __________________
    "Thuaj:O robërit e Mi,të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj,mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut,pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet,Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!.'' (Ez-Zumer 53]


    _________________

    Falemderimi i takon vetem All-llahut qe na krijo ne formen me te mir

      Ora është Fri Dec 09, 2016 9:38 am